Thursday, January 21, 2021

Fituesit e vegjël

 



Ja dhe konkursit të Adhuruesve të shegertit të vogël i erdhi fundi. Gëzohemi që shumë fëmijë morën pjesë në të, duke shkruar tregime të ndryshme apo edhe ese bazuar në historitë dhe aventurat e Hlapitit. 

Në këtë blog kemi hedhur tregimet dhe esetë më të mira të krijuara nga fëmijët dhe do të donim t'ju falënderonim të gjithëve një e nga një. 

Tashmë, pasi i shqyrtuam me shumë vëmendje shkrimet e fëmijëve, zgjodhëm dy më të mirat: 


Florenc Muça, nga shkolla "28 Nëntori" në Kavajë... 


Gaia Selmani, nga shkolla "Kushtrimi i lirisë" në Tiranë...

Neda Biba, nga shkolla "Metronom".





Ju urojmë suksese të mëtejshme në krijimtarinë letrare!

Botime Pegi
  

Friday, January 15, 2021

Mirënjohja, e mira e njerëzve

 Nga Neda Biba



Hlapiti një djalë me një zemër të madhe që i ndryshoi jetën kaq shume njerëzve, por mbi të gjitha lumturoi zemrën e një nëne, duke i gjetur vajzën e humbur prej shumë vitesh. 

               Historia jonë e ka zanafillën ne Kroacinë e viteve 1900, një periudhë gjatë së cilës shumë kroatë udhëtuan drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo më kot edhe historia e shegertit të vogël është një histori shtegtimi, në kërkim të një bote më të mirë. Përgjatë gjithë rrugës së tij, shegertin tonë e shoqëron besimi në zot ( kujtojmë se kroatët janë një popull shumë besimtar). Në shumë momente të kësaj historie, ne shohim elemente të besimit si falja përpara gjumit apo ylli blu (simbol i mbrojtjes dhe besimit në këtë kulturë).

            Gjatë gjithë udhëtimit, autorja nënvizon ndjenjën e barazisë mes personazheve, si një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Të dy personazhet kryesore të kësaj historie si Hlapiti ashtu dhe Gita vinin nga dy histori krejtësisht të ngjashme, histori ku kujdestarët e tyre u sollën keq me ta, dhe të dy këto personazhe na dhanë kaq shumë mësime për jetën, edhe pse fëmijë. Së pari na treguan se gjithmonë duhet të luftojmë për të drejtat tona, dhe se në asnjë mënyrë nuk duhet të pranojmë nënshtrimin apo ligësinë.

            Hlapiti ishte një djalë që kurrsesi nuk do të arrinte të shkelte besimin dhe premtimet e tij. Kjo na bën ta duam aq shume këtë personazh heroik për fëmije.

            Mirënjohja ishte ndoshta virtyti më i madh i këtij personazhi kuptimplotë, i cili dhe në momentet më delikate, dhe në rrethanat më të këqija, falë besimit të fortë e të palëkundur se e mira do të triumfojë përherë, na rikujton edhe njëherë parimet me të shtrenjta të të qenit njeri dhe të besimit në zotin  e tij.

 

Neda Biba

Shkolla "Metronomi"


Wednesday, January 13, 2021

Mirësia të kthehet gjithnjë me mirësi

 Nga Ilgrid Salihi



Rrëfimi i “Aventurave të pazakonta të shegertit të vogël”, me një panoramëz kuptimplotë të të gjithë realitetit, përfshin një vogëlush të vetëm në këtë botë të mjerë, për të jetuar pa mbështetjen e kujdesin e pazëvendësueshëm prindëror. Mungesë, e cila ngre murin më të madh në zbulimin e vetvetes, kuptimin e asaj që na rrethon apo përthithjen e mekanizmave për t’u përballur me botën. Mungesë, e cila mund të lërë njeriun në kapërcyell.

Por ja që në këtë libër, shkrimtarja e mirënjohur kroate, Ivana Brlić-Mauranić sjell mësime nga më të çmuarat për jetën, për fëmijët, dhe ajo që e bën akoma më kuptimplotë dhe  leximin sa naiv aq edhe moralizues për të rriturit.

Në aventurat e Hlapitit, ndjenja e përkujdesit brumos lexuesit fëmijë me vlera nga më të paçmuarat të shpirtit njerëzor, siç janë ndihma për njerëzit në nevojë, apo dashuria e pakushtëzuar ndaj tjetrit. Por një mesazh akoma më i bukur vjen me dilemën më të madhe që rrëmon në shpirtin e njeriut, kërkimi i vetvetes, për një jetë më të mirë. Në libër, kjo tallazitje e mendjes së shegertit të vogël ndodh në një nga momentet më të vështira, gjatë qëndrimit në shtëpinë e ustait vetullngrysur, në atë moment kur i bie mbi shpinë faji i këpucëve të qepura me masë më të vogël nga porosia e dhënë. Edhe pse nuk ishte Hlapiti që i kishte punuar, nën një kërcënim të vetëm të ustait vetullngrysur ku i thotë: “Çizmet do të digjen, por ti more përtac, do t’i paguash shtrenjtë ato”- tregon qartë atë çfarë e priste në të ardhmen. Kështu, arratia është një nga simbolet më të bukura të këtij libri, arratia nga padrejtësitë, nga errësira e qarkulluar si një rrotë e verbër që rrotullohet në vend pa drejtim. Por arratia e shegertit gjithashtu ka edhe një tjetër simbol madhështor, atë të kryerjes së detyrës, çuarjes në vend të normalitetit të situatave të krijuara, cilado qoftë arsyeja.

Në letrën drejtuar ustait vetullngrysur, shegerti i shpreh keqardhjen për emocionet e errëta që kish shprehur ai për këpucët e punuara me masë të gabuar: “Ju deshët t’i hidhnit këpucët në zjarr, më vjen shumë keq për këtë. Ndaj po iki nëpër botë që t’i hap pakëz ato, kështu çizmet nuk do të jenë më të ngushta. Bëhuni i mirë me shegertët e tjerë, jepuni më shumë supë dhe bukë të ngrohtë.” Në pak rreshta, shprehet shpirti i pastër i një fëmije, pavarësisht keqtrajtimeve të pësuara. Dëshira e tij për një jetë të re të bukur, duke i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Kështu nis rrugëtimi i Hlapitit, i cili përfshihet nga aventura nga më të pazakontat dhe jo pak herë edhe të vështira. Edhe prindërit, të cilët do t’ua lexojnë fëmijëve do të intrigohen nga krimbi i kuriozitetit se çfarë do të ndodhë më pas.

Rrugëtimi i shegertit ka një magji të veçantë në krahasim me çdo libër tjetër për fëmijë, pasi ky rrugëtim vjen nga ngjarje reale, ndryshe nga çfarë jemi mësuar të lexojmë në librat për fëmijë, ku në të shumtën përbëhen nga fantazia e rrëfimit, në të cilat personazhet jetojnë bashkë me dragonjtë, përbindësha, zana apo superheronj me fuqi të jashtëzakonshme. Kështu, të shtatë ditët e udhëtimit të vogëlushit, mbushen me takime me njerëz nga më të ndryshmit, nga shitësi plak i qumështit deri te vajza e vogël, e quajtur Gita, e cila gjithashtu ishte larguar nga ustai i saj. I shoqëruar nga qeni i tij, Bundashi, dhe Gita ai bën rrugën e tij nëpër fshat, duke prishur komplotin e një hajduti veçanërisht të keq, duke e shndërruar atë nga një njeri me plot vese, në një njeri që mund të ketë një qëllim më të mirë në jetë. Hlapiti, Gita, Markoja dhe shumë personazhe të tjera, ndonëse të përshkruara nga autorja qysh më 1903, japin dhe sot e kësaj dite mesazhe kaq aktuale për mbarë shoqërinë njerëzore; mirësia të kthehet gjithnjë me mirësi.

 

Ilgrid Salihi

Shkolla “Metronomi”

Tiranë


Tuesday, January 12, 2021

Integriteti i një njeriu nuk fitohet vetëm nga puna, por edhe nga sjellja

 Nga Sara Koçi



Nga analiza e librit “Aventurat e Shegertit të vogël”, një nga mësimet më të vyera që unë si Sara kam marrë, është pikërisht kjo veti.

Shegerti i vogël, Hlapit, punonte si ndihmës-këpucar. I pakënaqur nga sjellja e të zotit, mori vendimin e menjëhershëm për t’u larguar nga strofulla e tij. Edhe pse ustai i tij, një burrë i madh dhe këpucar me emër, me një sjellje jo të mirë, do të ketë pikërisht nevojën e Hlapitit në një moment të vështirë.

Gjatë udhëtimit të tij, Hlapiti njihet me njerëz të profesioneve të ndryshme. Secili prej tyre, i mëson Hlapitit se puna me nder të nxjerr faqebardhë dhe se përfitimi i patëdrejtë si në rastin e dy personazheve të këqij, nuk do të sjellë asgjë të mirë. Gjatë udhëtimit të tij, Hlapiti kupton se vetëm falë krahëve të tij në jo pak raste ai gjeti strehim dhe fitoi respektin e njerëzve rreth tij. Por nuk ishte vetëm puna që Hlapitin e nxori faqebardhë. Hlapiti u miqësua me të gjithë, shkaku i sjelljes së tij fisnike e të mirë. Ai tregoi se ishte një djalosh i drejtë, i dhimbsur dhe dinte të falte.

Hlapiti tregoi se gjithmonë e dashuronte punën që bënte, po aq sa mundësinë për të ndihmuar njerëzit rreth tij. Kjo baraspeshë që Hlapiti kishte në jetën e tij na bëri ta donim edhe më shumë si personazh dhe si djalosh të fortë e guximtar. Në çdo rrethanë të vështirë ai kërkoi gjithmonë të drejtën, edhe pse shpeshherë u shmang nga udhëtimi i tij. Në këtë rast, realisht që Hlapitin “udha e gjatë e nxori faqebardhë”.

            Kjo histori na tregon vlerat e vërteta të një shoqërie, na tregon se nderi dhe morali janë dy parime kryesore në jetën e gjithsecilit. Përvetësimi i padrejtë i gjërave që nuk ka përkasin sjell vetëm telashe dhe njollosje të nderit të gjithsecilit.


Sara Koçi

Klasa 5-të

Shkolla “Metronomi”

Tiranë


Djaloshi që nuk e njohu frikën

 Nga Orion Gedaj



Ky rrëfim na çon drejt djaloshit kroat, të varfër, punëtor e të zgjuar që nuk e njohu frikën.  Për mendimin tim ajo çka realisht bëri Hlapiti kërkon guxim, vendosmëri dhe shumë karakter të fortë.

 Konkretisht tregimi flet për një shegert të vogël, të quajtur Hlapit, i cili punonte si ndihmës-këpucar në një punishte. I zoti i punishtes ku ai punonte ishte i padrejte me punën e tij dhe kjo gjë e mërziste shumë Hlapitin. Të zotëve  të punishtes, usta Vetullngrysurit, i kishte ndodhur një fatkeqësi shume e madhe dhe që nga ajo ditë ai ishte bërë zemërgur. Hlapiti e donte shume gruan e mjeshtër Vetullngrysurit, por nuk e duronte dot të zotin e tij. Ishte një natë kur të gjithë po flinin,  Hlapiti u ngrit dhe doli në kuzhinë pa asnjë zhurmë, duke u arratisur kështu nga shtëpia. E kështu nisi rrugëtimi i Hlapitit, ku dita ditës, ai mësonte nga një gjë të re, me plot të papritura.

 Për të bërë udhëtimin e tij sa shpirtëror aq edhe fizik, Hlapitit iu desh të kalonte 1001 peripeci, në kushte të vështira, si dhe ndoshta të flinte i vetëm, poshtë urës, në qytetin  e madh apo të takohej me njerëz të ligj. Por ai kishte një zemër të madhe dhe dinte të ishte një shok i mirë. Në ditët në vazhdim, zuri miq shumë të mirë si Gita dhe Marko. Edhe Gita si Hlapiti nuk donte më të kthehej në cirk, pasi pronari i cirkut ishte i keq. Pra, rastësia e njohur Hlapitin tonë me karaktere të ngjashme si ai duke i bërë ballë kështu vështirësive.

            Po përse Hlapiti u ndesh me kaq shumë gjëra? Arsyeja e vetme është se Hlapiti nuk u dorëzua kurrë. Arma e tij më e mirë për të bërë shok të mirë ishte ndihma që ai i ofronte gjithsecilit pa kërkuar asgjë në këmbim. Dhe gjithë bota çuditërisht “u rrotullua” përpara këmbëve të tij. Kjo rrëfenjë na bën të mendojmë sa e sa herë na ka stepur frika të bëjmë gjërat që duam, apo të marrim vendimet e duhura. Një zemër e hapur si ajo e Hlapitit dhe e guximshme na tregoi se gjithkush në fund merr gjithçka ka merituar.

E pra, ky rrugëtim përfundoi më mirë seç nisi, për vetë karakterin e dashur të Hlapitit tonë luftarak. Ky djalosh nuk e njohu asnjëherë frikën në zemër, por “shkriu” me dashuri zemrat e njerëzve pranë tij. Pavarësisht vështirësive që do të kemi duhet të tregojmë gjithmonë urtësi, mirësi dhe guxim.        

 

Orion Gedaj

Shkolla “METRONOMI”

Tiranë


Friday, January 8, 2021

Një vështrim mbi mirësinë

 Nga Marvin Kurti



E kush nuk i pëlqen aventurat e pazakonta dhe të bukura të shegertit të vogël.

Edhe unë dua të shtegtoj, të njoh botën e të ndihmoj njerëzit në nevojë. Çdo ditë një aventurë e re, e cila na mëson një mësim të ri për jetën.

Për Hlapin ishte një mister, i cili lindi nga nevoja për t’u larguar nga vështirësia që po kalonte me ustain. Të gjithë duan të përjetojnë aventurat e Hlapin por asnjë s’do të përjetojë vështirësitë e tij me ustain vetullngrysur. Por ne duhet të dimë që çdo vështirësi duhet kaluar dhe ne duhet te shpresojmë për më të mirën. Hlapi u tregua i guximshëm te merrte një rrugëtim te panjohur  me çizmet për te cilat ishte ndëshkuar. Të ndihmonte me dashamirësinë e tij këdo qe takonte.

E si mund te besojmë se do kalojnë vështirësitë e t’i gëzohemi aventurave të bukura?

Mendoj se kjo është shumë e lehtë. Ne duhet të jemi te mençur si një libër, të mirë sa dielli dhe te lumtur si një zog.

Nëse jemi të mençur si libri ne arrijmë të zgjidhim çdo vështirësi e të fitojmë guxim për t’u lumturuar si një zog. E nëse jemi te mire si dielli do të ngrohim zemrat e shumë njerëzve ashtu siç bën dielli me rrezet e tij  që ngroh botën.

E kështu duhet të jemi dhe ne fëmijët  me mirësinë tonë, të ngrohim zemrat e njerëzve që kanë nevoje të ndihen të lumtur si zogjtë.



Marvin Kurti

Klasa 5-të

Shkolla "Metronom"

Tiranë

Tuesday, January 5, 2021

Sekreti i pikturave

 Nga Gaia Selmani



Ishte dita e fundit para festave të Krishtlindjeve. Të gjithë nxënësit mezi prisnin orën e pikturës me z. Hlapit. Ai na kishte premtuar se do të na tregonte historinë e jetës së tij dhe se si kishte arritur deri këtu. Mënyra si shpjegonte ishte shumë tërheqëse dhe ne mezi prisnim ta dëgjonim.

Z. Hlapit hyri në klasë dhe si me magji klasa ra në qetësi. Ai la çantën dhe librat mbi tavolinë dhe u kthye nga ne. Na hodhi një vështrim, pastaj uli kokën i menduar dhe mori frymë thellë.

– Zoti mësues! Herën e kaluar ju na premtuat se do të na flisnit për jetën tuaj – u dëgjua zëri i Mias, e cila asnjëherë nuk nguronte t’i pyeste mësuesit për çdo gjë që i vinte në mendje.

 Ah po! – tha z.Hlapit. – Atëherë fëmijë

Në klasë kishte rënë heshtja dhe sytë tanë ishin ngulur mbi z. Hlapit. Vura re se fytyra e tij ishte ngrysur dhe mezi po gjente fjalët për të filluar. Ende nuk po nxirrte asnjë fjalë dhe kokat e nxënësve nisën të lëviznin sa majtas-djathtas me shqetësim. Po prisja që ndonjë nga nxënësit ta kujtonte z.Hlapit se kishte 26 veta që po prisnin të dëgjonin historinë e tij.

– E gjitha filloi kur unë isha në moshën tuaj, – u dëgjua papritur zëri i ngrohtë i z. Hlapit. – Prindërit e mi u larguan shpejt nga kjo jetë kur unë dhe motra ime ishim ja kaq sa ju tani.  Ne shkuam të jetonim në një shtëpi të vogël në periferi të qytetit që ngjasonte më shumë me një kasolle, në shtëpinë e Usta Vetullngrysurit. Kështu e quanim të zotin e shtëpisë, sepse asnjëherë nuk pamë të qeshte. Shtëpia e tij ishte shumë e ftohtë dhe një mëngjes unë u zgjova shumë i sëmurë. Motra më rrinte vazhdimisht tek koka, por nuk më ndihmonte dot. Usta Vetullngrysuri thoshte se nuk kishte lekë të më çonte në spital dhe çdo ditë gjendja ime po bëhej më keq. Kur ndihesha pak më mirë i kërkoja motrës sime Gita, të më jepte kartonët dhe lapsat që ajo m’i blinte me lekët që fitonte nga shitja e luleve. Mua më pëlqente shumë të pikturoja. Rrija me orë të tëra duke vizatuar të gjitha gjërat që më vinin në mendje. Gita më thoshte gjithmonë se ato ishin shumë  të bukura dhe po t’i shisnim mund të fitonim shumë para.  Pas ca kohësh, një mbrëmje, Gita erdhi në shtëpi e lumtur. Më tha se kishte ndodhur një gjë e mrekullueshme.  Në fytyrën e saj kishte një gëzim të papërshkrueshëm.

 Sot, –  zuri të fliste Gita me nxitim ndërsa duart e saj dridheshin nga emocioni, – takova një zotëri të pasur, i cili m’i bleu të gjitha pikturat e tua.

Gita më tha po kështu se zotëria i kishte premtuar se do të bisedonte me Usta Vetullngrysurin për ta marrë atë në shtëpinë e tij përgjithmonë. Zotëria jetonte në një vend të largët që as emrin nuk ia mbaj mend. Gita ndihej shumë e gëzuar, kurse unë mbeta i heshtur. Isha i lumtur për fatin e motrës sime, por edhe i dëshpëruar, sepse kuptova se tani do të qëndroja vetëm larg saj.  Kur Gita pa fytyrën time e kuptoi se ky lajm nuk ishte dhe aq i gëzueshëm për mua. Që të më gëzonte sadopak, ajo më tha se nga shitja e pikturave të mia ishin mbledhur mjaftueshëm para dhe do t’ia jepte Usta Vetullngrysurit për mjekimin tim.

Erdhi koha që unë dhe Gita duhet t’i thoshim njëri-tjetrit lamtumirë. Ishte një ndarje shumë e dhimbshme. Të nesërmen, Usta Vetullngrysuri më tha se do të niseshim që në mëngjes herët për spital. Tërë rrugës qaja, pasi nuk e besoja se nuk do ta shihja më motrën time.  Në spital më mbajtën gjatë pasi sëmundja ime ishte e rëndë. Aty u miqësova shumë me djalin që ishte në një dhomë me mua. Kur erdhi koha të dilja nga Spitali, ai më ftoi të jetoja me të. Por surpriza më e bukur ishin pikturat në shtëpinë e tij. Më kujtohet që rrija me orë të tëra duke i parë sikur të isha në një ekspozitë. Babai i shokut tim ishte një piktor i dëgjuar. Një ditë, kur unë po i rrija pranë, ai u kthye nga unë dhe më hodhi një shikim si prej babai.

Të pëlqen të pikturosh?

Zemra ime nisi të rrihte pa pushim. Pasioni im për pikturën u zgjua përsëri.  Vitet kaluan si pa kuptuar dhe më në fund u largova nga shtëpia e shokut tim dhe u shpërngula në një shtëpi të bukur. Aty kisha vendosur shumë piktura të miat dhe disa nga ato që më kishte dhuruar profesori. Çdonjëra prej tyre më kujtonte herë një moment të vështirë, herë një çast të bukur. Ndonjëra më kujtonte edhe Gitën, motrën time të dashur, për të cilën kisha aq mall dhe nuk dija nëse do ta takoja ndonjëherë.

Kjo motra jote z. Hlapit paska emrin e drejtoreshës sonë, – gjëmoi një zë nga klasa. Sigurisht ishte Mia që nuk e di si kishte duruar pa folur kaq gjatë.

z. Hlapit ia afrua Mias, e përkëdheli lehtë dhe vazhdoi historinë sikur të mos kishte folur njeri.

– Një ditë, kur po lexoja gazetat, pashë një lajmërim. Kërkohej një mësues pikture pikërisht në shkollën tonë. Ju nuk e dini se në atë kohë në qytet shkolla jonë njihej me nofkën “piktori i vogël”. As unë nuk e dija pse ia kishin vendosur këtë nofkë. Ditën e parë të punës më thanë të shkoja të takoja drejtoreshën e shkollës. Trokita lehtë dhe dëgjova nga brenda një zë që më ftoi të hyja.  M’u duk sikur dëgjova një zë shumë të njohur.

Hyr, kush është? – ishte një zë që më bëri të futesha në mendime. M’u duk sikur vinte nga shumë larg. Pa kuptuar më kapi një frikë të hapja derën. Por në atë moment, drejtoresha erdhi dhe e hapi vetë dhe sapo e pashë u shtanga.

Urdhëroni hyni, – tha drejtoresha.

Drejtoreshë Gita është motra jote z. Hlapit? – u hodhën disa nxënës nga padurimi.

z. Hlapit nuk po fliste. Pas syzeve të tij pashë se disa pika lot. Ndihej si atëherë, si ditën e parë që kishte takuar më në fund motrën e tij Gitën, drejtoreshën tonë të dashur.

Sa histori e bukur z. Hlapit! – u dëgjua përsëri Mia

Po pse shkolla jonë kishte marrë atë nofkën “piktori i vogël”? tha një nxënës gjithnjë qëndronte në bankat e fundit.

– Ju besoj i keni parë ato pikturat në muret e korridoreve, apo jo? – tha z. Hlapit.

– Dhe e dini se të kujt janë? – u dëgjua zëri i drejtoreshë Gitës që hyri në klasë papritur. Këto piktura janë ato të cilat zotëria i pasur ia bleu motrës së z. Hlapit,  të cilat më pas ia dhuroi shkollës sonë.

Në ato momente ra zilja. Por ne pothuajse nuk e dëgjuam. Z. Hlapit u ngrit nga tavolina, mori çantën dhe me një fytyrë të qeshur na tha “mirupafshim nxënës, takohemi herën tjetër”. Sapo z. Hlapit u largua nga klasa të gjithë nxënësit filluan të diskutonin për historinë e tij. Ishim ende të mahnitur nga historia e jetës së z. Hlapit.  I kisha parë shpesh ato piktura në muret e shkollës sonë, por tani mezi prisja t’i shikoja përsëri sikur nuk i kisha parë kurrë.


Gaia Selmani

Klasa 6-të

Shkolla "Kushtrimi i lirisë"

Tiranë

Fituesit e vegjël

  Ja dhe konkursit të Adhuruesve të shegertit të vogël i erdhi fundi. Gëzohemi që shumë fëmijë morën pjesë në të, duke shkruar tregime të nd...