Nga Ilgrid Salihi
Rrëfimi i “Aventurave
të pazakonta të shegertit të vogël”, me një panoramëz kuptimplotë të të gjithë
realitetit, përfshin një vogëlush të vetëm në këtë botë të mjerë, për të jetuar
pa mbështetjen e kujdesin e pazëvendësueshëm prindëror. Mungesë, e cila ngre
murin më të madh në zbulimin e vetvetes, kuptimin e asaj që na rrethon apo
përthithjen e mekanizmave për t’u përballur me botën. Mungesë, e cila mund të
lërë njeriun në kapërcyell.
Por ja që në këtë
libër, shkrimtarja e mirënjohur kroate, Ivana Brlić-Mauranić sjell mësime nga
më të çmuarat për jetën, për fëmijët, dhe ajo që e bën akoma më kuptimplotë
dhe leximin sa naiv aq edhe moralizues
për të rriturit.
Në aventurat e
Hlapitit, ndjenja e përkujdesit brumos lexuesit fëmijë me vlera nga më të
paçmuarat të shpirtit njerëzor, siç janë ndihma për njerëzit në nevojë, apo
dashuria e pakushtëzuar ndaj tjetrit. Por një mesazh akoma më i bukur vjen
me dilemën më të madhe që rrëmon në shpirtin e njeriut, kërkimi i vetvetes, për
një jetë më të mirë. Në libër, kjo tallazitje e mendjes së shegertit të
vogël ndodh në një nga momentet më të vështira, gjatë qëndrimit në shtëpinë e
ustait vetullngrysur, në atë moment kur i bie mbi shpinë faji i këpucëve të
qepura me masë më të vogël nga porosia e dhënë. Edhe pse nuk ishte Hlapiti që i
kishte punuar, nën një kërcënim të vetëm të ustait vetullngrysur ku i thotë: “Çizmet
do të digjen, por ti more përtac, do t’i paguash shtrenjtë ato”- tregon
qartë atë çfarë e priste në të ardhmen. Kështu, arratia është një nga simbolet
më të bukura të këtij libri, arratia nga padrejtësitë, nga errësira e
qarkulluar si një rrotë e verbër që rrotullohet në vend pa drejtim. Por
arratia e shegertit gjithashtu ka edhe një tjetër simbol madhështor, atë të
kryerjes së detyrës, çuarjes në vend të normalitetit të situatave të krijuara,
cilado qoftë arsyeja.
Në letrën drejtuar
ustait vetullngrysur, shegerti i shpreh keqardhjen për emocionet e errëta që
kish shprehur ai për këpucët e punuara me masë të gabuar: “Ju deshët t’i
hidhnit këpucët në zjarr, më vjen shumë keq për këtë. Ndaj po iki nëpër botë që
t’i hap pakëz ato, kështu çizmet nuk do të jenë më të ngushta. Bëhuni i mirë me
shegertët e tjerë, jepuni më shumë supë dhe bukë të ngrohtë.” Në pak
rreshta, shprehet shpirti i pastër i një fëmije, pavarësisht keqtrajtimeve të
pësuara. Dëshira e tij për një jetë të re të bukur, duke i ardhur në ndihmë
njerëzve në nevojë. Kështu nis rrugëtimi i Hlapitit, i cili përfshihet nga
aventura nga më të pazakontat dhe jo pak herë edhe të vështira. Edhe prindërit,
të cilët do t’ua lexojnë fëmijëve do të intrigohen nga krimbi i kuriozitetit se
çfarë do të ndodhë më pas.
Rrugëtimi i shegertit
ka një magji të veçantë në krahasim me çdo libër tjetër për fëmijë, pasi ky
rrugëtim vjen nga ngjarje reale, ndryshe nga çfarë jemi mësuar të lexojmë në
librat për fëmijë, ku në të shumtën përbëhen nga fantazia e rrëfimit, në të cilat
personazhet jetojnë bashkë me dragonjtë, përbindësha, zana apo superheronj me
fuqi të jashtëzakonshme. Kështu, të shtatë
ditët e udhëtimit të vogëlushit, mbushen me takime me njerëz nga më të
ndryshmit, nga shitësi plak i qumështit deri te vajza e vogël, e quajtur Gita,
e cila gjithashtu ishte larguar nga ustai i saj. I shoqëruar nga qeni i tij,
Bundashi, dhe Gita ai bën rrugën e tij nëpër fshat, duke prishur komplotin e
një hajduti veçanërisht të keq, duke e shndërruar atë nga një njeri me plot
vese, në një njeri që mund të ketë një qëllim më të mirë në jetë. Hlapiti,
Gita, Markoja dhe shumë personazhe të tjera, ndonëse të përshkruara nga autorja
qysh më 1903, japin dhe sot e kësaj dite mesazhe kaq aktuale për mbarë
shoqërinë njerëzore; mirësia të kthehet gjithnjë me mirësi.
Ilgrid Salihi
Shkolla
“Metronomi”
Tiranë

No comments:
Post a Comment