Nga Gaia Selmani
Ishte dita e fundit para festave të Krishtlindjeve. Të gjithë nxënësit mezi prisnin orën e pikturës me z. Hlapit. Ai na kishte premtuar se do të na tregonte historinë e jetës së tij dhe se si kishte arritur deri këtu. Mënyra si shpjegonte ishte shumë tërheqëse dhe ne mezi prisnim ta dëgjonim.
Z. Hlapit hyri në klasë dhe si me
magji klasa ra në qetësi. Ai la çantën dhe librat mbi tavolinë dhe u kthye nga ne. Na hodhi një vështrim, pastaj uli kokën i menduar dhe mori frymë thellë.
– Zoti mësues! Herën e kaluar ju na premtuat se do të na flisnit për jetën tuaj – u dëgjua zëri i Mias, e cila asnjëherë nuk nguronte t’i pyeste mësuesit për çdo gjë që i vinte në mendje.
– Ah po! – tha z.Hlapit. – Atëherë fëmijë …
Në klasë kishte rënë heshtja dhe sytë tanë ishin
ngulur mbi z. Hlapit. Vura
re se fytyra e tij ishte ngrysur dhe mezi po gjente fjalët për të filluar. Ende nuk po nxirrte asnjë fjalë dhe kokat e nxënësve nisën të lëviznin sa majtas-djathtas me shqetësim. Po prisja që ndonjë nga nxënësit ta kujtonte z.Hlapit se kishte 26 veta që po prisnin të dëgjonin historinë e tij.
– E gjitha filloi kur unë isha në moshën tuaj, – u dëgjua papritur zëri i ngrohtë i z. Hlapit. – Prindërit e mi u
larguan shpejt nga kjo jetë kur unë dhe motra ime ishim ja kaq sa ju tani. Ne shkuam të jetonim në një shtëpi të vogël në
periferi të qytetit që ngjasonte më shumë me një kasolle, në shtëpinë e Usta
Vetullngrysurit. Kështu e quanim të zotin e shtëpisë, sepse asnjëherë nuk pamë
të qeshte. Shtëpia e tij ishte
shumë e ftohtë dhe një mëngjes unë u zgjova shumë i sëmurë. Motra më rrinte
vazhdimisht tek koka, por nuk më ndihmonte dot. Usta Vetullngrysuri thoshte se
nuk kishte lekë të më çonte në spital dhe çdo ditë gjendja ime po bëhej më keq.
Kur ndihesha pak më mirë i kërkoja motrës sime Gita, të më jepte kartonët dhe
lapsat që ajo m’i blinte me lekët që fitonte nga shitja e luleve. Mua më pëlqente
shumë të pikturoja. Rrija
me orë të tëra duke vizatuar të gjitha gjërat që më vinin në mendje. Gita më thoshte
gjithmonë se ato ishin shumë të bukura
dhe po t’i shisnim mund të fitonim shumë para.
Pas ca kohësh, një mbrëmje, Gita erdhi në shtëpi e
lumtur. Më tha se kishte ndodhur një gjë e
mrekullueshme. Në fytyrën e saj kishte një gëzim të papërshkrueshëm.
– Sot, – zuri të fliste Gita me nxitim ndërsa duart e saj dridheshin nga emocioni,
– takova një zotëri të pasur, i
cili m’i bleu të gjitha pikturat e tua.
Gita më tha po kështu se zotëria i kishte
premtuar se do të bisedonte me Usta Vetullngrysurin për ta marrë atë në shtëpinë
e tij përgjithmonë. Zotëria jetonte në një vend të largët që as emrin nuk ia mbaj
mend. Gita ndihej shumë e gëzuar, kurse unë mbeta i heshtur. Isha i lumtur për fatin e motrës sime, por edhe i dëshpëruar,
sepse kuptova se tani do
të qëndroja vetëm larg saj. Kur Gita pa fytyrën time e kuptoi se ky lajm
nuk ishte dhe aq i gëzueshëm për mua. Që të më gëzonte
sadopak, ajo më tha se nga shitja
e pikturave të mia ishin
mbledhur mjaftueshëm para dhe do
t’ia jepte Usta Vetullngrysurit për mjekimin tim.
Erdhi koha që unë dhe Gita duhet t’i thoshim njëri-tjetrit
lamtumirë. Ishte një ndarje shumë e
dhimbshme. Të nesërmen, Usta Vetullngrysuri më tha se do të niseshim që në mëngjes
herët për spital. Tërë rrugës qaja, pasi nuk e besoja se nuk do ta shihja më
motrën time. Në spital më mbajtën gjatë pasi sëmundja ime ishte e rëndë. Aty u miqësova shumë me djalin që
ishte në një dhomë me mua. Kur erdhi koha të dilja nga Spitali, ai më ftoi të jetoja me të. Por surpriza më e
bukur ishin pikturat në shtëpinë e tij. Më kujtohet që rrija me orë të tëra
duke i parë sikur të isha në një ekspozitë. Babai i shokut tim ishte një piktor
i dëgjuar. Një ditë, kur unë po i rrija pranë, ai u kthye nga unë dhe më hodhi
një shikim si prej babai.
– Të pëlqen të pikturosh?
Zemra ime nisi të rrihte
pa pushim. Pasioni im për pikturën u zgjua përsëri. Vitet kaluan si pa kuptuar dhe më në fund u largova nga shtëpia e shokut tim dhe
u shpërngula në një shtëpi të bukur. Aty kisha vendosur shumë piktura të miat dhe disa nga ato që më kishte dhuruar
profesori. Çdonjëra prej
tyre më kujtonte herë
një moment të vështirë, herë një çast të bukur. Ndonjëra më kujtonte edhe Gitën,
motrën time të dashur, për të cilën kisha aq mall dhe nuk dija nëse do ta
takoja ndonjëherë.
– Kjo motra jote z.
Hlapit paska emrin e drejtoreshës sonë, – gjëmoi një zë nga klasa. Sigurisht
ishte Mia që nuk e di si kishte duruar pa folur kaq gjatë.
z. Hlapit ia afrua
Mias, e përkëdheli lehtë dhe vazhdoi historinë sikur të mos kishte folur njeri.
– Një ditë, kur po lexoja gazetat, pashë një lajmërim. Kërkohej
një mësues pikture pikërisht në shkollën tonë. Ju nuk e dini se në atë kohë në
qytet shkolla jonë njihej me nofkën “piktori i vogël”. As unë nuk e dija pse ia kishin
vendosur këtë nofkë. Ditën e parë të punës më thanë të shkoja të takoja
drejtoreshën e shkollës. Trokita lehtë dhe dëgjova nga brenda një zë që më ftoi
të hyja. M’u duk sikur dëgjova një zë
shumë të njohur.
– Hyr, kush është? – ishte një zë që më bëri të
futesha në mendime. M’u duk sikur vinte nga shumë larg. Pa kuptuar më kapi një
frikë të hapja derën. Por në atë moment, drejtoresha erdhi dhe e hapi vetë dhe sapo
e pashë u shtanga.
– Urdhëroni hyni, – tha drejtoresha.
– Drejtoreshë Gita është motra jote z. Hlapit? – u
hodhën disa nxënës nga padurimi.
z. Hlapit nuk po
fliste. Pas syzeve të tij pashë se disa pika lot. Ndihej si atëherë, si ditën e
parë që kishte takuar më në fund motrën e tij Gitën, drejtoreshën tonë të
dashur.
– Sa histori e bukur z. Hlapit! – u dëgjua përsëri Mia
– Po pse shkolla jonë kishte marrë atë nofkën
“piktori i vogël”? – tha një nxënës që gjithnjë qëndronte në bankat e
fundit.
– Ju besoj i keni parë ato pikturat në
muret e korridoreve, apo jo? – tha z. Hlapit.
– Dhe e dini se të kujt janë? – u dëgjua
zëri i drejtoreshë Gitës që hyri në klasë papritur. – Këto piktura janë ato të cilat zotëria i pasur ia
bleu motrës së z. Hlapit, të cilat më
pas ia dhuroi shkollës sonë.
Në ato momente ra zilja. Por ne pothuajse nuk e dëgjuam. Z. Hlapit u ngrit nga tavolina, mori çantën dhe me një fytyrë të qeshur na tha
“mirupafshim nxënës, takohemi herën tjetër”. Sapo z. Hlapit u largua nga klasa
të gjithë nxënësit
filluan të diskutonin për historinë e tij. Ishim ende të mahnitur nga historia e
jetës së z. Hlapit. I kisha parë shpesh ato piktura në muret e shkollës
sonë, por tani mezi prisja t’i shikoja përsëri sikur nuk i kisha parë kurrë.
Gaia Selmani
Klasa 6-të
Shkolla "Kushtrimi i lirisë"
Tiranë

👏👏👏 Bravo Gaia!!❤❤❤
ReplyDelete